Transmetohet në "Sahihul-Buhariu" tek hadithi i shefatit madhështor (ndërmjetësimit), nga Enesi [radijallahu anhu] se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë: "Në Ditën e Gjykimit bëhen njerëzit turmë dhe shkojnë tek Ademi, alejhi selam, dhe i thonë: Na ndërmjetëso tek Zoti yt! Ai thotë: Nuk e kam këtë mundësi. Mirëpo, drejtohuni tek Ibrahimi, alejhi selam, sepse ai është miku i All-llahut. Shkojnë tek Ibrahimi, alejhi selam, mirëpo Ai thotë: Nuk e kam këtë mundësi. Por, drejtohuni tek Musau, alejhi selam, sepse ai ka folur direkt me All-llahun. Shkojnë tek Musau, alejhi selam, mirëpo Ai thotë: Nuk e kam këtë mundësi. Por, drejtohuni tek Isau, alejhi selam. Shkojnë tek Isau, alejhi selam, mirëpo Ai thotë: Nuk e kam këtë mundësi. Por, drejtohuni tek Muhamedi, [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]. Vijnë tek unë dhe u them atyre: Unë e kam këtë mundësi. Kërkoj leje nga Zoti im që të afrohem tek Ai, dhe më jep leje. Dhe kur ta shoh All-llahun, do të bijë në sexhde. Dhe do t'më frymëzojë me disa dua më të mira, që tash nuk i di. Më pas më thuhet: O Muhamed, ngrite kokën dhe fol se do të dëgjohesh, bëj lutje se të pranohet, kërko që të bësh ndërmjetësim dhe do të lejohet që të ndërmjetësosh. Në këtë çast them: O All-llah, shpetoma ummetin tim, shpetoma! Dhe ma cakton se sa do të ndërmjetësojë, dal dhe i fus në xhennet ata. Pastaj kthehem dhe kërkoj leje nga Zoti im që të afrohem tek Ai, dhe me jep leje. Dhe kur ta shoh All-llahun, do të bijë në sexhde. Dhe do t'më frymëzojë me disa dua më të mira, që tash nuk i di. Më pas më thuhet: O Muhamed, ngrite kokën dhe fol se do të dëgjohesh, bëj lutje se të pranohet, kërko që të bësh ndërmjetësim dhe do të lejohet që të ndërmjetësosh. Në këtë çast them: O All-llah, shpetoma ummetin tim, shpetoma! Dhe ma cakton se sa të ndërmjetësojë, dal dhe i fus në xhennet ata. Pastaj kthehem për herë të tretë dhe kërkoj leje nga Zoti im që të afrohem tek Ai, dhe me jep leje. Dhe kur ta shoh All-llahun, do të bijë në sexhde. Dhe do t'më frymëzojë me disa dua më të mira, që tash nuk i di. Më pas më thuhet: O Muhamed, ngrite kokën dhe fol se do të dëgjohesh, bëj lutje se të pranohet, kërko që të bësh ndërmjetësim dhe do të lejohet që të ndërmjetësosh. Në këtë çast them: O All-llah, shpetoma ummetin tim, shpetoma! Dhe ma cakton se sa do të ndërmjetësojë, dal dhe i fus në xhennet ata."
Thotë Katade: Këtë herë do t'i nxjerrë njerëzit nga zjarri dhe do t'i fusë në xhennet, derisa mos të mbes askush në zjarr, përveç atë që e ka ndalur Kur'ani. Që dmth, do të mbesë ai që e ka cekur All-llahu në Kur'an se do të jetë përgjithmonë në zjarr.
Pastaj e lexoi fjalën e All-llahut: "Mbase Zoti yt të ngre ty në Gradën e Lartë të premtuar të lavdërimit dhe shkëlqimit." [El-Isra, 79] Pra, kjo është Grada e Lartë e premtuar e lavdërimit e Pejgamberit tuaj, [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].
Imazhi i dytë:
Një ditë kaloi Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] pranë xhamisë së Benu Muavijeh, hyri mbrenda dhe i fali dy rekate dhe ne u falëm me të. Bëri dua gjatë, pastaj u kthye kah ne dhe tha: "Jam lutur Zotit tim për tri gjëra, m'i pranoi dy prej tyre kurse ma refuzoi njërën. Jam lutur Zotit që mos t'ma shkatërroj ummetin tim me thatësira dhe ma pranoi. Jam lutur që mos t'ma shkatërroj ummetin tim me vërshim, dhe ma pranoi. Jam lutur Zotit që mos t'i drejtojnë shigjetat mes tyre, këtë ma refuzoi." [Muslimi]
Imazhi i tretë:
Një ditë lexoi Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] Fjalën e All-llahut:
"O Zoti im! Vërtet që ata (idhujt) kanë gabuar e humbur shumë nga njerëzit. Por kushdo që më ndjek mua, vërtet që ai është prej meje dhe kushdo që nuk më bindet e nuk më ndjek mua (rrugën time), atëherë Ti je vërtet gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë." [Ibrahim, 36]
Gjithashtu lexoi: "Në qoftë se Ti i ndëshkon ata, ata janë robët e Tu, dhe nëse Ti i fal, vërtet që Ti, Vetëm Ti je i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” [El-Maideh, 118]
Pastaj i ngriti duart lartë dhe tha: "O Zot, ummetin tim, ummetin tim, dhe qau. Në këtë çast thotë All-llahu [subhanehu ve teala]: O Xhibril, shko tek Muhamedi dhe pyete se pse po qanë! E Zoti yt e di më mirë. I erdh Xhibrili alejhi selam dhe e pyeti. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] i tregoi se çfarë ka thënë, e All-llahu e di më mirë. All-llahu tha: O Xhibril, shko tek Muhamedi dhe thuaj: Ne do të gëzojmë ty me ummetin tënd dhe nuk do të shqetësojmë." [Muslimi]
Imazhi i katërt:
Ka thënë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: "Secili pejgamber ka pasur dua të pranuara, që i bënin. Kurse unë do ta mbajë sekret duanë time, për t'a ruajtur për shefat të ummetit tim në ahiret." [Buhariu]
Imazhi i pestë:
Një përson bëri mëkat duke e puthur një grua dhe shkoi tek Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe i tregoi. Në këtë çast e zbriti All-llahu [subhanehu ve teala] ajetin: "Kryeni edhe faljen (namazin) në (dy) skajet e ditës (agim, drekë dhe pasdite) dhe në orët e para të natës (falja në të ngrysur - Akshami dhe në mbrëmje - Jacia). Me të vërtetë që veprat e mira i largojnë veprat e këqia. Ky është përkujtim (e këshillë) për ata që përkujtojnë (që marrin këshillë e nxjerrin mësim)." [Hud, 114] Përsoni iu drejtua përseri: O i Dërguari i All-llahut, a është kjo veçanti e imja? Iu pëgjigj: "Për të gjithë ummetin tim." [Buhariu]
Imazhi i gjashtë:
Thotë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: "Sikur mos t'u bënte e rëndë për ummetin tim, do t'i urdhëroja ta përdornin misvakun për secilin namaz." [Buhariu]
Imazhi i shtatë:
Transmeton Ibën Abbasi [radijallahu anhuma]: Doli një ditë tek ne Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe tha: "Më është mundësuar t'i shoh ummetët e mëherëshme. Pashë një Pejgamber apo dy që kishin më pak se dhjetë pasues. Pashë Pejgamber që nuk ishte me të askush. Derisa pashë një turmë njerëzish. Thashë, kush janë ata, a mos vallë ummeti im?! Më thanë: Ai është populli i Musaut. Pastaj më thanë: Shiko në horizont! Po shoh turmë njerëzish, që kanë mbushur horizontin. Më thuhet: Shiko këtu, shiko atje, në skaje të horizontit! Shoh njerëz që mbushin horzontin. Këtu më thuhet: Ky është ummeti yt. Prej tyre, do të ketë 70 000 mijë që do të hyjnë në xhennet pa dhënë llogari. Njerëzit u larguan dhe nuk e kuptuan se kush do të jenë ata. Filluan të mendojnë Sahabet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe thanë: "Ne, jemi lindur si politeistë, mirëpo më pas i besuam All-llahut dhe të Dërguarit të Tij. E gjithsesi mendojmë se ata do të jenë pasardhësit tanë. Mori vesh për këtë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe tha: Ata janë të cilët as nuk kanë bërë fall, as rukje, mirëpo i janë mbështetur Zotit të tyre. Në këtë çast, u çua Ukashe bin Muhsan dhe tha: A jam unë prej tyre, O i Dërguari i All-llahut! Tha: Po. U ngrit edhe një përson tjetër dhe tha: E unë, a jam prej tyre? Tha Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: Ta parapriu Ukasheja. [Buhariu]
Imazhi i tetë:
Transmetohet në hadithin e gjatë të Israsë dhe Miraxhit, ndër të tjera tha Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: "U ngrita derisa arrita në një shkallë ku dëgjova gërvimën e lapsave". Ka thënë Ibën Hazmi dhe Enes bin Maliku: Ka thënë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: Këtu All-llahu i bëri obligim për ummetin tim pesëdhjetë namaze. Më pas u ktheva derisa kalova pranë Musaut dhe më tha: Çka të ka obliguar All-llahu për ummetin tënd? I thashë: Pesëdhjetë namaze. Më tha: Kthehu të Zoti yt, sepse ummeti yt nuk ka mundësi ta bëjë këtë. U ktheva dhe (All-llahu) ma hoqi një pjesë. U ktheva tek Musau dhe i thashë së më është hequr një pjesë. Më tha: Kthehu tek Zoti yt, sepse ummeti yt nuk ka mundësi ta bëjë këtë. U ktheva dhe (All-llahu) ma hoqi një pjesë. U ktheva tek Musau dhe më tha kthehu tek Zoti yt, sepse ummeti yt nuk ka mundësi ta bëjë këtë. U ktheva përseri tek Zoti dhe më tha: Tashmë i ke vetëm pesë, me vlerë të pesëdhjetave. Nuk ka ndërrim fjale më tek Unë. U ktheva tek Musau dhe më tha: Kthehu tek Zoti yt! I thashë: Më vjen turp prej Zotit tim. Pastaj shkuam Afër Sidreti el-Munteha (pemë në kufirin më të lartë mbi qiellin e shtatë, përtej së cilës askush nuk mund të kalojë), të cilën e kishin mbuluar ngjyra, që nuk e dijë se çfarë janë. Pastaj kam hyrë në xhennet, aty po shoh litarë prej diamanti dhe dheu ishte nga Misku." [Buhariu]
Imazhi i nëntë:
Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] tha: "Kush është shehid sipas jush? Thanë: O i Dërguari i All-llahut, ai që vritet në rrugë të All-llahut, ai është shehid. Tha Pejgmberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: "Sipas jush, shehida nga ummeti im do të ketë vetëm pak. Thanë: A ka të tjerë, o Dërguari i All-llahut? Tha: Ai që vritet në rrugë të All-llahut, ai është shehid. Ai që vdes në rrugën e All-llahut, ai është shehid. Ai që vdes nga murtaja, ai është shehid. Ai që vdes nga barku, ai është shehid." Në një transmetim tjetër thuhet se ka shtuar: "Ai që mbytet në ujë, ai është shehid." [Muslimi]
Imazhi i dhjetë:
Kur bëhej erë e madhe dhe re të zeza, u shihte shqetësimi në fytyrë të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], levizte andej-këndej. E kur lëshonte shi, u gëzonte dhe u qetësonte. E pyeti për këtë Aishja [radijallahu anha]. Ai tha: "U frikësova se do të jetë dënim i rëndë mbi ummetin tim." [Muslimi]
Imazhi i njëmbëdhjetë:
Transmetohet nga Abdullah bin Omeri se ka thënë: Kemi qëndruar një natë duke e pritur të Dërguarin e All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] për namazin e jacisë. Doli tek ne pasi që kaloi një e treta e natës apo edhe më vonë. Nuk e dinim, a ishte i zënë me familjen apo ishte vonuar nga diçka tjetër. Atëherë tha: "Ju po prisni një namaz, që nuk e pret këtë namaz dikush tjetër përpos ai që ka këtë fe. Sikur mos të vinte rëndë mbi ummetin tim, do të falësha me ata në këto çaste." Pastaj e urdhëroi muezinin ta thotë ikametin dhe u fal. [Muslimi]
- Barazimi i Kur'anit me Sunnetin e Pejgamberit s.a.v.s në të argumentuar -
Sunneti është një pjesë e dytë e shpalljes hyjnore, që u zbrit tek Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]. Pjesa tjetër është Kur'ani Fisnik, ai është fjalë e All-llahut, Zotit të gjithë botëve, i zbritur e nuk është i krijuar.
Argument për këtë kemi shumë ajete, hadithe dhe koncenzusin e gjeneratave të hershme.
Argumentet Kur'anore:
وَمَا يَنطِقُ عَنِ الْهَوَى {3} إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى
"3. As nuk flet ai nga dëshira (e vetë atij). 4. Është vetëm Shpallje që i frymëzohet." [En-Nexhm]
وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ
"Ty ta zbritëm Kur'anin që t'u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur'anin)." [En-Nahl, 44]
وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَانَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ
"Çka t'ju jep Pejgamberi, atë merrnie e çka t'ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër." [El-Hashr, 7]
قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
"(O Muhammed): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (pranoni Islamin, ndiqni Kur’anin dhe Sunetin), Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” [Ali Imran, 31]
فَلاَ وَرَبِّكَ لاَ يُؤْمِنُون حَتَّىَ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لاَ يَجِدُواْ فِي أَنفُسِهِمْ حَرَجًا مِّمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُواْ تَسْلِيمًا
"Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar." [En-Nisa, 65]
فَلْيَحْذَرِ الَّذِينَ يُخَالِفُونَ عَنْ أَمْرِهِ أَن تُصِيبَهُمْ فِتْنَةٌ أَوْ يُصِيبَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ
"Dhe le të kenë mendjen ata të cilët nuk pajtohen me urdhërin e të Dërguarit (a.s. - Sunetin e tij, me rrugën e tij, zbatimin në jetë të Urdhërave të Allahut, të Islamit), që të mos bjerë mbi ta ndonjë Fitneh (mosbesim, sprovë, vështirësi, ose fatkeqësi, tërmet, vrasje, nënshtrim nga tiranë etj), ose t’u jepet një ndëshkim i dhimbshëm." [En-Nur. 63]
Këto dhe ajete të tjera të shumta që nxisin për pasimin e sunnetit të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe argumentojnë obligueshmerinë e të praktikuarit të tij dhe ndalimin e kundërshtimit të tij.
Argumentët nga Sunneti
Transmetohet nga Ebu Rafi, shërbetori i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: "Mos mbeshtetët dikush në ulëse e t'i paraqitet atij ndonjë çështje, të cilën e kam urdhëruar apo e kam ndaluar e të thojë: Nuk e di këtë. Çdo gjë që gjindet në Kur'anën e pasojmë." [Ebu Davud, 12/5, hadithi nr: 4605]
Transmetohet nga Mikdam bin Muid se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: "Më është dhënë Kur'ani edhe një i ngjajshëm si ai. Pritet që të ketë njeri ngopaç, i mbeshtetur në ulësen e tij e të thotë: U porosis me këtë Kur'an, ç'ka të gjeni në te hallall merrenie e ç'ka të gjeni në te haram largohuni. Pa dyshim se atë që e ka bërë haram Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] është sikur ajo që e ka bërë haram All-llahu." [Ebu Davudi, 10/5, hadithi nr: 4604]
Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: "Ka mundësi që dikush nga ju, t'i vijë atij ndonjë hadith nga hadithet e mia e ai i mbështetur në ulëse e të thojë: Leri këto! Mjaftojnë ato që gjinden në Kur'an t'i pasojmë." [Ibën Abdul-Berr, Xhamiu Bejanul Ilm,, f.189, vol. 2]
Transmetohet nga Arbad bin Sarijeh se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: "U porosis juve që ta keni frikë All-llahun, ta dëgjoni dhe respektoni emirin qoftë ai edhe ndonjë rob habeshij. Ai që do të jetojë gjatë nga ju do të sheh përçarje të madhe. Andaj, ndiqnie sunnetin tim dhe sunnetin e hulefau rrashidinëve (katër halifet pas Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]; Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë). Kapuni fortë për te dhe asnjëherë mos e leshoni! Largohuni gjërave të shpikura, sepse çdo gjë e shpikur është bidat e çdo bidat është devijim." [Ebu Davud, 13/5, hadithi nr: 4607]
Ekzistojnë edhe hadithe të tjera që nxisin për pasimin e sunnetit dhe përhapjes së tij.
Nga fjalët e dijetarëve
Transmetohet nga Hasan El-Basriu se Umran bin Husajn ishte i ulur me shokët e tij dhe njëri ndër të pranishmit tha: Mos na flitni tjetër pos me Kur'an! I tha Atij (Umrani): Afrohu pak! U afrua. Pastaj i tha: Sikur do të mjaftojshe ti dhe shokët e tu me Kur'an a do të gjejshe në te farzin e drekës katër reqate, apo farzin e ikindisë katër reqate apo farzin e akshamit tre reqate dhe të lexosh sure pas fatihasë vetëm në dy të parët? Apo vallë, nese do te mjaftojshe vetëm me Kur'an ti dhe shokët e tu a do të gjejshe në te se tavafi reth Qabes dhe në Safa dhe Merva të bëhët shtatë herë?! Pastaj tha: O ju njerëz, merrni nga ne se vallahi nëse nuk e bëni këtë do të devijoni." [Transmeton Bejhakiu]
Transmeton Muhamed bin Kethir nga Evzaiu, e ky nga Hasan bin Atijeh se ka thënë: I vinte Xhibrili Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] për t'ia zbritur sunnetin ashtu siç vinte për t'ia zbritur Kur'anin." [Ed-Darimi, 117/1, Hadithi nr: 594]
Transmetohet nga Ejub Es-Sehtijani se një njeri i ka thënë Mitraf bin Abdullah bin Shehir: Mos na flitni tjetër pos asaj që gjindet në Kur'an! I tha Mitrafi atij: Vallahi, ne nuk dojmë që të gjejmë ndonjë zëvendesues për Kur'anin, por duam dikë që është më i ditur sësa ne me Kur'anin." [Transmeton Bejhakiu]
Transmetohet nga Evzaiu se ka thënë: Ka thënë Ejub Es-Sahtijani: Nëse i flet një personi me sunnet e ai të thotë se lere këtë por na fol me Kur'an! Dije se ky është i devijuar." [Transmeton Bejhakiu]
Ka thënë Evzaiu, Mekhuli, Jahja ibën Ebu Kethir dhe disa të tjerë: "Kur'ani është më i nëvojshëm për sunnetin (në argumentin dhe sqarim) sësa sunneti për Kur'anin. Sepse sunneti e sqaron Kur'anin e Kur'ani nuk e sqaron sunnetin." [Ed-Darimi, 117/1, hadithi nr: 593]
- Njohje me sunnetin e Pejgamberit s.a.v.s -
Sunneti është baza e dytë e fesë, që rradhitët mënjeherë pas Kur'anit. Është shpallja me të cilën erdhi i Dërguari i All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe na la mes nesh atë dhe Kur'anin, që të kapemi fort për to e t'i pasojmë ashtu që ta trasojmë rrugën e drejtë, e cila na çon në xhenetët e larta - me ndihmë të All-llahut [subhanehu ve teala].
Andaj, është obligim për secilin musliman që ta njohë sunnetin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], ta mësojë atë, të ndajë një interesim të veçantë për te sepse vetëm me praktimin e sunnetit të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] arrihet kënaqësia e Zotit tonë, All-llahut të madhëruar, ashtu siç thotë Ai:
قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ، وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ، قُلْ أَطِيعُوا اللَّهَ وَالرَّسُولَ، فَإِنْ تَوَلَّوْا فَإِنَّ اللَّهَ لا يُحِبُّ الْكَافِرِينَ
31 "Thuaj (O Muhammed): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (pranoni Islamin, ndiqni Kur’anin dhe Sunetin), Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.”
32 Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit (Muhammedit a.s.).” Por në qoftë se ata shmangen, atëherë Allahu nuk i do mohuesit.” [Ali Imran, 31-32]
Sunnet në kuptimin gjuhësor do të thotë rrugë, traditë, qoftë e lavdëruar apo e shëmtuar.
Krahas sunnetit përdorët edhe fjala "Hadith", që do të thotë fjalë apo lajm.
Gjithashtu përdorët edhe fjala "Ether", që do të thotë gjurmë.
Sunnet në kuptimin terminologjik:
Dijetarët Islam e kanë njohur sunnetin në mënyra të ndryshme, varësisht nga këndveshtrimi i shkencave islame, që të gjitha me kuptim të afërt.
Mirëpo, ne do të cekim vetëm rregullin e muhadithëve (dijetarëve të hadithit) ngase është më përmbledhës:
"Sunet është çdo gjë që është transmetuar nga Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] (përmes transmetuesve të pranuar) nga fjalët që i ka thënë, apo veprave që i ka punuar, apo pelqimeve që i ka shprehur për ndonjë çështje, apo virtytet e tija, apo levizjet e tija qoftë zgjuar apo në gjumë."
Nga rregulli që u cek na bëhët e ditur se sunneti është shumë mënyrash.
Pra, sunneti mund të jetë fjalë e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] apo siç i thojnë dijetarët "Sunetu Kavlijeh"-Sunnet i thënur me fjalë.
Sunnetët e thënura me fjalë mund të jenë urdhëra obliguese (vaxhib), mund të jenë udhëzime për veprat që kanë mirësi të shumta por nuk janë obligim (sunnet) mund të jenë udhëzime në vepra të mira, por që nuk janë të obliguara (mustehab), mund të jenë ndalesa nga veprat e urrejtura (mekruh) apo nga veprat që janë të ndaluara (haram).
Sunnetët janë edhe nga veprat që i ka vepruar Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe që jemi të obliguar t'i pasojmë ato. Siç janë: Forma e Namazit të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], kryerja e haxhit, etj.
Gjithashtu, nga sunnetet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] është që ai ta ketë pelqyer një vepër. Pra, një vepër e cila është e vepruar nga ndonjë Sahabij (shok i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]) dhe këtë vepër e ka pelqyer Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] konsiderohet nga sunnetët e tija. Nuk është kusht që vepra të jetë kryer në prezencë të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]. Mjafton që ai të ketë qënë në dituri për vepren.
Pelqimi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] për vepren e kryer mund të ketë qënë pelqim i përkrahur me fjalë apo më heshtje.
Ka mundësi të pyes dikush e të thotë: Si ka mundësi që nje vepër të jetë sunnet i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe mos të jetë e urdhëruar apo e vepruar nga ai?!
I përgjigjemi: Mjafton pelqimi dhe përkrahja e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] për një vepër të bëhët sunnet i tij edhe nëse nuk është urdhëruar apo vepruar nga ai, [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]. Sepse dihet se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] nuk e përkrah e as e pelqen një vepër që nuk është në ujdi me sheriatin e All-llahut të Madhëruar. E po ta pëlqej Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] një vepër atëherë kuptohet se vepra e punuar nga dikush tjetër është ne ujdi më parimet e Islamit.
Nganjëherë sunnet i thuhet edhe veprës, që e ka punuar ndonjë sahabij i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].
Thotë Imam Esh-Shatibij: "Sunnet i thuhet edhe vepres që e ka vepruar ndonjë shok i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], qoftë kjo vepër në Kur'an apo jo. Mirëpo, ai këtë vepër sigurisht që e ka vepruar duke e pasuar Pejgamberin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] që ata e kanë ditur e nëve nuk na ka arritur, apo mund të jetë ixhdihad (vendim i njëzëshëm) nga ata apo nga Hulefau Rashidin (udhëheqësat e drejtë: Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!). Sepse Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: "Pasoni sunnetin tim dhe sunnetin e Hulefau Rrashidinëve të udhëzuar!" [El-Muvafekat
Gjithashtu sunnet përdorët si term kundër bidatit.
Lusim All-llahun e Fuqishëm që të na bëjë të mundur ta njohim sunnetin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe ta pasojmë atë dhe të na bashkojë me te në Ditën e Gjykimit!
- Disa Sunnete të harruara 1 - Namazi Istihare -
Transmetohet nga Xhabir Ibën Abdullahu radijAll-llahu anhu se ka thënë:
"Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] na mësonte duanë e istihares për çdo çështje, sikurse na mësonte suret e Kur’anit dhe thoshte: "Kur dikush prej jush dëshiron të vendos për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate (nafile) namaz dhe pastaj le të thotë:
"All-llahume inní estehíruke bi ‘ilmike ve estakdiruke bi kudretike ve es`eluke min fadlikel-’adhim, fe inneke takdiru ve la akdiru, ve ta’lemu ve la a’ëlemu ve ente al-lámul gujúb. All-llahume in kunte ta’ëlemu enne hadhel emru - (e emërton nevojën e tij) - hajrun lí fi diní ve me’áshí ve ‘ákibeti emrí ve ‘áxhilihi ve áxhilihi fakdirhu lí ve jessirhu lí thumme barik lí fihi. Ve in kunte ta’ëlemu enne hadhel emru - (e emërton nevojën e tij) - sherrun lí fi diní ve me’áshi ve ‘ákibeti emri ve ‘áxhilihi ve áxhilihi, fasrifhu anní vesrifní anhu vakdir lí el-hajre hajthu kane thumme erdiní bihi."
“O Zoti im, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate; kërkoj prej të mirave Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi; kurse unë s’kam mundësi, Ti di çdo gjë kurse unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (e emërton nevojën e tij), është e dobishme për fenë time dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso mua që të realizohet kjo, ma lehtëso mua këtë dhe më beko në të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time për kohën e tashme dhe të ardhmen largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo e më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të)”
------------------------------------------------
Nga ky hadith nënkuptojmë:
1. Namazi i istiharës është i preferuar.
2. Nuk ka kohë të caktuar për faljen e namazit të istiharës.
3. Gjatë faljes së namazit të istiharës nuk ndonjë sure apo ajet i posaçëm. Kurse thënia e disa dijetarëve se është e legjislative të lexohet sureja “Kafirun” dhe “Ihlas” është e pa bazë ngase nuk ka ndonjë dëshmi apo argument nga Sheriati Islam.
4. Duaja (lutja) nuk bëhet gjatë faljes së dy reketëve por pas mbarimit të tyre. Argument për këtë është fjala e të Dërguarit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] “e t’i falë dy rekate (nafile) namaz dhe pastaj le të thotë”, ky është mendimi i shumicës së dijetarëve islam.
5. Namazi istihare falët për çështjet e dyshimta, të pavendosura, të pasigurta, të paqarta, dhe të papërcaktuara, gjithashtu falet edhe për veprat që rezultati i tyre dihet dhe është i njohur. Themi për këtë të fundit ngase realitetin e rezultateve nuk e din askush përveç Allahut [subhanehu ve teala].
6. Namazi i istihares është prej shkaqeve të lumturisë, komoditetit dhe haresë, argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ku thotë: “Prej lumturisë të birit të Ademit është të falë namaz istihare.” Transmeton Ahmedi.
7. Hoxha i madh i Islamit Ibën Tejjmije thotë: “Nuk do të pendohet asnjëherë ai person, i cili kërkon ndihmë nga Allahu (falë namaz istihare), poashtu konsultohet me njerëzit dhe bëhet i vendosur në pikësynimin e tij.” All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: "Konsultohu me ta për të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun."
8. Çështjet për të cilat falet namazi Istihare janë ato çështje që janë të përgjithshme. Ndërsa për Farzet, Sunetet, Haramet, dhe Mekruhet (gjërat e papëlqyera) nuk falet namazi istihare.
9. Ky hadith tregon qartë për mëshirën dhe dhembshurin e të dërguarit të Allahut Muhamedin a.s për umetin e tij dhe të sugjeruarit dhe mësuarit e tyre gjithçka çka ju bënë dobi në këtë botë dhe Aherit.
- Disa Sunnete të harruara 2 dhe 3 -
2- Thënia e fjalës “Subhanel Melikil Kudus” pas faljes së namazit të vitrit
3. Namazi pas kthimit nga udhëtimi
2- Thënia e fjalës “Subhanel Melikil Kudus” pas faljes së namazit të vitrit
Transmetohet nga Ubej Ibën Kabi [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] gjatë faljes së vitrit në rekatin e parë lexonte “Suren A’la”, në rekatin e dytë “Kul ja ejjuhel Kafirun”, suren “El Kafirun” kurse në rekatin e tretë e lexonte “ Kul huvallahu Ehad”, suren “Ihlas”. E pasi që mbaronte namazin dhe jepte selam thoshte tri herë: “Subhanel Melikil Kudus” I madhëruar qoftë Sunduesi i Pastër nga çdo të metë” . [Transmeton Nesaiu, 1702]
Kurse në hadithin që transmeton Abdurahman ibën Ebzi [radijallahu anhu] thotë: “I Dërguari i Allahut, pasi falte namazin e vitrit, thoshte tri herë: “Subhanel Melikil Kudus” - I madhëruar qoftë Sunduesi i Pastër nga çdo të metë”. Kurse në herën e fundit e thoshte me zë të dëgjueshëm duke e zgjatur zërin.” [Transmeton Nesaiu, 1700]
3. Namazi pas kthimit nga udhëtimi
Transmetohet nga Ka’b ibën Maliku [radijallahu anhu] se ka thënë:
“I Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], kur u kthente prej udhëtimit, gjëja e parë që bënte ishte të shkojë në xhami dhe t'i falë dy regate namaz.” [Tranmston Buhariu, 3088 dhe Muslimi, 2769]
Ky hadith jep të kuptojmë se është legjislative për njeriun nëse kthehet prej udhëtimit të shkojë në xhami para se të shkojë tek familja e vet dhe t’i falë dy rekate namaz, ngase ky sunet është që e ka vepruar pikërisht i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe poashtu ka urdhëruar për ta vepruar.
Rastin që e ka vepruar i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e cekëm. Ndërsa rastin që ka urdhëruar i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] është ky: Tregon Xhabiri [radijallahu anhu] se ishte me të Dërguarin e Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] me një ekspeditë ushtarake. I dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] u kthye në Medine në mëngjes kurse unë në drekë. E takova të Dërguarin e Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] tek dera e xhamisë.
Më pyeti i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]:
- "A tash po kthehesh?"
Iu përgjigja:
-"Po."
I Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] më tha:
"Lidhe devenë, futu në xhami dhe fali dy rekate.” [Transmeton Buhariu]
Hoxha i nderuar Ibën Uthejmini [Allahu e mëshiroftë] thotë:
"Shumica e njerëzve sot nuk e veprojnë këtë sunet. E gjithë kjo ndodh nga injoranca edhe pse veprimi i këtij suneti në ditët e sodit është shumë i lehtë, ngase në çdo vend dhe në çdo lagje ka xhami dhe mund të veprohet në cilën do xhami të qytetit."
Imam Neveviu [Allahu e mëshiroftë] ka thënë: "Ky namaz është për qëllim të ardhjes në shtëpi.”
- Disa Sunnete të harruara 4 dhe 5 -
4. Kërkim mbrojtje nga xhehenemi nëse lexohet ndonjë ajet kërcënimi, gjithashtu madhërimi i Allahut nëse lexohet ndonjë ajet ku madhërohej All-llahu.
5. Të falurit namaz vullnetar në shtëpi
4. Kërkim mbrojtje nga xhehenemi nëse lexohet ndonjë ajet kërcënimi, gjithashtu madhërimi i Allahut nëse lexohet ndonjë ajet ku madhërohej All-llahu.
Transmetohet nga Hudhejfja [radijallahu anhu] se ka thënë:
“Një natë jam falur me të Dërguarin e Allahut dhe filloi me leximin e sures Bekare. Në vetën time thashë ndoshta do të benë rukun kur t'i plotësojë njëqind ajete, por i Dërguari i Allahut vazhdoi të lexojë. Gjatë leximit kur kalonte në ndonjë ajet ku u madhëronte Allahu ai e madhëronte, apo kur lexonte ndonjë ajet ku ka kërkesë e lutte Allahun t’ia plotësojë dhe nëse lexonte ndonjë ajet ku u përmende dënimi i Allahut kërkonte mbrojtje nga ai denim.” [Transmeton Muslimi, 772]
Ky hadith na mëson se është e pëlqyer të veprohet kjo vepër, të kërkohet mbrojtje nga denimi i All-llahut kur të lexohen ajetet ku përmendet dënimi i ashpër i Allahut dhe të lutet All-llahu dhe të kërkohet nga Ai mirësi nëse përmendet ndonjë ajet ku përmendet lutja. Kjo tregon për mëshirën dhe bujarin e Allahut. Andaj duhet ta pasojmë në këtë vepër të Dërguarin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e Allahut ngase ai është shëmbëlltyra jonë.
Te vepruarit e këtij syneti është edhe argument i fortë se zemra yte është prezentë në namaz dhe se gjatë leximit të Kurani je i koncentruar dhe mediton rreth ajeteve që i lexon.
Kjo vepër është Sunet gjatë faljes së namazit të natës: Mirëpo, gjatë faljes së namazeve farz lejohet por nuk është legjislative.
Dijetari i nderuar Albani [Allahu e mëshiroftë] thotë: “Po të ishte legjislative edhe gjatë faljes së farzeve do ta vepronte i Dërguari i Allahut, e sikur ta kishte vepruar do të transmetohej në hadithe se ai e ka vepruar. Bile do të ishte më primare të kishte transmetime se ai e ka vepruar këtë në farz sesa në sunnete."
Prej dobive të hadithit është se lejohet të falet namazi natës me xhemat por me kusht mos të bëhet traditë.
5. Të falurit namaz vullnetar në shtëpi
Transmetohet nga Abdullah Ibën Omeri [radijallahu anhu] se i Dërguari i All-llahut ka thënë:
“Faluni edhe në shtëpitë tuaja, e mos i shndërroni ata në varreza!”
Transmetohet prej Zejd bin Thabitit [radijallahu anhu] se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “O ju njerëz, bëni namaz edhe në shtëpitë tuaja, Namazi më i dashur tek All-llahu është namazi, i cili falët në shtëpi, me përjashtim të namazit farz.”
Tranmsetohet nga Xhabir ibën Abdullahu [radijallahu anhu] se i Dërguari i All-llahut ka thënë:
“Nëse dikush e falë namazin në xhami, le t’ia lenë një pjesë shtëpisë së tij nga namazi, se me të vërtet All-llahu do t’i jep mirësi për namazin e bërë në shtëpi.” [Muslimi, 778]
Imam Neveviu [Allahu e mëshiroftë] thotë:
"I Dërguari i All-llahut nxiti që të falën në shtëpi namazet vullnetare dhe mos të shndërrohen shtëpitë si varrezat, të cilat janë të shkreta dhe të braktisura nga namazi.
Gjithashtu thotë: “I dërguari i Allahut nxiti që namazet nafile të falen në shtëpi, nga aspekti se është më larg dyfaqësisë, dhe më e mbrojtur prej negacioneve, dhe të begatohet shtëpia me faljen e namazit, të zbret mëshira e All-llahut mbi atë shtëpi dhe të largohen shejtanët. Siç tregoi i Dërguari i All-llahut në fund të hadithit “...me të vërtet All-llahu do t’i jep mirësi për namazin e bërë në shtëpi.”
Imam Ibën Kajjimi thotë:
“I Dërguari i Allahut të gjitha namazet sunete dhe nafile, të cilat nuk janë të caktuara për ndonjë vend apo kohë i falte në shtëpi, e në veçanti sunetet e Akshamit. Nuk transmetohet asnjëherë se i ka falur në xhami.
- Pasimi i sunnetit të Pejgamberit s.a.v.s -
Thotë Allahu [subhanehu ve teala]: "Dhe ndiqne rrugën e tij (Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem) që të gjeni të vërtetën" [El-A'raf, 158]
"O ithtarë të librit, juve ju erdhi i dërguari Jonë që ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk jep sqarime. Juve ju erdhi erdhi nga All-llahu dritë, dhe libër i qartë. All-llahu e vë me atë (me Kur'anin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë." [El-Maide, 15-16]
Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem thotë: "Kush vepron një vepër që nuk është prej nesh nuk i pranohet."
Ibën Mesudi [radijallahu anhu] thotë: "Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem e vizatoi një vijë e pastaj tha: Kjo është rruga e drejtë e Allahut, pastaj i vizatoi disa të tjera në të djathtën dhe në të majtën e tij e pastaj tha: Nuk ka asnjë prej tyre rrugeve përveç se në të është nga një shejtan, i cili thërret në te, pastaj lexoi fjalën e Allahut: "Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni." (El-Enam, 153)
Fudajl ibën Ijadi për fjalën e Allahut [subhanehu ve teala]: "…për t'ju sprovuar se cili prej jush është më vepër mirë". Thotë për këtë ajet: Cili prej jush është më i sinqertë në vepra dhe vepron më saktësisht në to. I thanë: E cila është vepra më e sinqerë dhe më e saktë? Tha: Nëse puna është e sinqertë mirëpo nuk është e saktë nuk i pranohet dhe poashtu anasjelltas. Vepra pranohet atëherë kur të jetë e sinqertë dhe e saktë. Pra, e sinqertë është atëherë kur të jetë për hirë të Allahut xh.sh., kurse e saktë është atëherë kur bëhet sipas sunetit të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Transmetohet nga Enes bin Maliku [radijallahu anhu] se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Kush refuzon diçka nga suneti im nuk është prej meje."
Ka thënë ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë): Xhunejdh bin Muhamedi thotë: "Të gjitha rrugët për të arritur tek Allahu xh.sh. janë të mbyllura përveç rruga e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem sepse Allahu xh.sh thotë: Pasha Madhërinë dhe Krenarinë Time, nese më vini prej të gjitha rrugëve dhe kërkoni nga çdo derë që tua çeli nuk ua çeli atyre përderisa të hynë pas teje."
Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi [radijallahu anhu] se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Unë do t'ju tuboj rreth meje pranë Havdit (lumit Kevther) e disa prej jush do të refuzohen, shtyhen nga melaiket e unë do të them: O Zot ata janë shokët (populli) e mi! Atëherë Allahu thotë: Ti nuk e dinë se çfarë kanë bërë pas teje, e pastaj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem do t'u thotë: Largë nga ata… largë nga ata që ndërruan pas meje."
Omer bin Abduazizi, kur njerëzit e besatuan atë u ngrit në Minber (hutbe) dhe tha: O ju njerëz, nuk ka Pejgamber tjetër pas Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem e as libër tjetër pas Kur'anit, e as sunet tjetër pas sunetit të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e as pas këtij ummeti nuk ka ummet tjetër, e lejuar është ajo që e ka lejuar Allahu për mes të Dërguarit të Tij deri në Ditën e Gjykimit dhe e ndaluar është ajo që e ka ndaluar Allahu xh.sh për mes të Dërguarit të Tij deri në Ditën e Gjykimit. E unë nuk jam prej atyre që shpikin në fe por jam prej pasuesëve të sunetiti të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Sufjan Eth-thevriu i thotë Jusuf bin Esabitit duke e këshilluar: O Jusuf, nëse në lindje e takon një njeri e që është pasues i sunetit dërgoi atij selam, e nëse e mbërrin një tjetër në perëndim e që është pasues i sunet gjithashtu dërgoi atij selam, se veç janë pakuar dijetarët e sunetit dhe xhematit.
Thotë Ubej bin Ka'bi (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të): Ju porosisë që t'i përmbaheni librit të Allahut dhe sunetit të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem se ai i cili i përmbahet këtyre dyjave kur e përmend Allahun i rrjedhin sytë lotë nga frika prej Tij dhe nuk e prek atë zjarri asnjëherë. Me të vërtetë mangësia në rrugën e Allahut dhe sunetit është më e mirë se sa mospajtimi në çështjet e Ku'anit dhe Sunetit.
Omer El-Faruku [radijallahu anhu] është ai sahabij, i cili shkon tek guri i zi (në Qabe) e puthë atë dhe i thotë: "Unë e di se ti je gurë nuk ka dëm e as dobi prej teje. E sikur unë të mos e kisha parë Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem duke të puthur nuk të kisha puthur. Pastaj tha: Kujdesë nga pasuesit e mendjes sepse ata janë armiqët e sunetit të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Iu janë dhënë atyre hadithe që t'i mësojnë e i thanë ato me mendje atëherë, humbën ata dhe i humbën të tjerët.
Aliu [radijallahu anhu] thotë: "Sikur të kishte qenë feja me hamendje atëherë ishte dashur që mes'hu të jetë ndër meste e jo mbi to.
Shokët e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem e kanë ruajtur sunetin e tij më së miri dhe poashtu janë ruajtur nga bidatet (risitë në fe) me një ruajtje mjaftë të madhe.
Ebu Bekr Es-sidiku [radijallahu anhu] u frikësonte për vetvetën e tij dhe për imanin e tij, iman i cili nëse matej me imanin e popullit do të vinte më rëndë, nëse e ka lënë ndonjë vepër, të cilën e ka vepruar Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Gjithashtu thotë: "Nuk jam lënës i asnjë vepre, të cilën e ka vepruar Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe unë frikësohem se mos po lë diçka nga suneti i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem apo po shtojë diçka në të."
Abdullah bin Mesudi [radijallahu anhu] thotë: "Kush është prej jush pasues atëherë le t'i pason ata, të cilët kanë vdekur, sepse të gjallit nuk i besohet sprovimi (d.m.th. mundet të humbë nga rruga e Allahut), e ata të vdekurit janë shokët e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, që zemrat e tyre kanë qenë më të pastërtat, kanë qenë më të diturit dhe më të paktit që e kanë tepruar në gjëra d.m.th. kanë qenë mesatarë. Allahu i ka zgjedhur ata për shoqërimin e të Dërguarit të Tij sal-lallahu alejhi ve sel-lem, qëndrues të vërtetë në fenë e Tij, e kanë njohur të vërtetën dhe janë kapur për fenë e tyre, pra ata janë në udhëzimin e drejtë.
- Bidati - risia në fe -
Bidati në kuptimin etimologjik don të thotë "konfiguracion i një sendi pa pasur fill të mëparshëm." Kurse bidati në atë terminologjik don të thotë: Çdo vepër e shpikur e që është e ngjajshme me dispozitat e sheriatit islam. Mirëpo, si e tillë është në kundërshtim me sunetin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].
Në vijim do ti cekim disa pika në lidhje me bidatin:
1. Transmeton Urbad bin Sarijeh (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të) se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: "Kush jeton pas meje do të shohë kundërshtiime të shumta, andaj iu porosis që t'i përmbaheni sunetit tim dhe sunetit të Hulefai Rrashidinëve. Keni kujdes ndaj risive (bidateve) në fe, se çdo bidat është shkatërrim" (transmeton Ahmedi, Ibën Maxhe, Darimiu, Hakimi, dhe Ibën Hibani, hadithin e vërtetoi Shejh Albani)
2. Transmeton Xhabir bin Abdullahu (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të) se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: "Atë që e udhëzon Allahu në rrugën e drejtë nuk ka kush që e humbë pos Tij, kurse atë që e humbë Allahu nga rruga e drejtë nuk ka kush që e udhëzon pos Tij. Më e mira fjalë është fjala e Allahut xh.sh., e më i miri udhëzim është udhëzimi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]. Çeshtjet më të këqija në fe janë ato të rejat në fe, çdo gjë e re në fe çka nuk ka argument për të është bidat." (transmeton Buhariu dhe Muslimi) Kurse në transmetimin e Bejhekiut është edhe fjala: "Çdo bidat të shpie për në zjarr." (senedi-zinxhiri i hadithit është i vërtetë)
3. Transmeton Aishja (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të) se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: "Kush thotë diçka për ne ç'ka nuk e ka thënë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] atij nuk i pranohet dhe është në kundërshtim me sunetin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]." [Muttefekun alejhi].
Thotë ibën Haxheri për fjalën: "Çdo bidat është shkatërrim". Eshtë rregull e Sheriatit se çdo bidat, i cili të shpie në shkatërrim, nuk është prej sheriatit. Për arsye se i tërë Sheriati është udhëzim dhe nuk ka në të gjëra, të cilat të shpiejnë në zjarr.
Kurse sa i përket hadithit, të cilin e transmeton Aishja, dhe me atë çka është inspiruar nga Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë se punët e atyre që shpikin risi janë të papranuara.
Në lidhje me punët e atyre që shpikin risi, të dijetarët Islam kemi dy mendime:
1. Disa thonë se puna, të cilën e ka bërë ai kthehet kundër tij.
2. Kurse grupi tjetër thotë se: Ai që bën risi në fe e ka refuzu urdhërin e Allahut për arsye se e ka barazu vetvetën me ata, të cilët gjykojnë më së miri, kurse ai ka futur në sheriatin Islam diç që nuk ka urdhër prej Allahut xh.sh. për të.
Që mos të bihet në bidat duhet të merren fjalët e shokëve të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]:
Abdullah ibën Mesudi thotë: "Pasone sunetin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe mos shpikni gjëra të reja në fe, për arsye se ju mjafton juve sqarimi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]." [transmeton Taberaniu dhe Darimiu me sened Sahih].
Abdullah ibën Omeri thotë: "Çdo bidat është humbje edhe nësë e shohin njerëzit të mirë." [ransmeton Darimiu me sened Sahih].
Në një rast Ibën Mesudi (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të) i ka parë disa njerëz ulur në xhami, mes tyre një njeri iu thoshte atyre: "Thuani 100 herë Allahu Ekber -e ata thonin, prap thoshte: thuani 100 herë Subhanallah -e ata thonin, e me këtë rast Ibën Mesudi tha: "Pasha Allahun, ose ju jeni popull më i udhëzuar se sa populli i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], ose jeni ata të cilët i hapin dyert e shkatërrimit." Ata thanë: "Nuk kemi dashuar diçka tjetër me këtë përveç të mirën. E Ibën Mesudi tha: "Sa ka prej njerëzve që e dëshirojnë të mirën mirëpo nuk e arrijnë atë?!" [transmeton Darimiu dhe Hakimi me sened Sahih].
K u pra është kuptimi i drejtë i bidatit nga Selefët (të parët tanë) dhe rreziku nga ai.
Imam Maliku thotë: "Kush shpik një risi në fe veç ka supozuar se Muhammedi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e ka tradhëtuar mesazhin (risalen) e tij: "Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe." [El-maide, 3]
Imam Ahmedi thotë: "Baza e sunetit për ne është kapja për atë që janë kapur shokët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], pasimi i tyre, dhe lënia e bidatit, për arsye se çdo bidat është shkatërrim.